Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar disa dokumentacione në Bashkinë e këtij qyteti në kuadër të hetimit të nisur prej saj për përmbytjet e fillimit të janarit. Burime të Top Neës konfirmojnë se nën sekuestrimin e organit të akuzës ka përfunduar dokumentacioni i arkivuar në Bashkinë e Durrësit për ndërhyrjen në argjinaturën e Lumit Erzen. Sekuestrimi me urdhër të drejtueses së prokurorisë së Durrësit, Suela Beluli është sekuestruar i gjithë dokumentacioni i procedurës së prokurimit, zbatimit dhe marrjes në dorëzim të punimeve në argjinaturën e lumit Erzen, përfshirë këtu edhe dokumentacioni tekniko-ligjor i tenderit. Prokuroria dyshon se ndërhyrja në këtë argjinaturë është bërë pa leje ndërtimi dhe pa një studim të mirëfilltë teknik, çka solli më pas çarjen e mbrojtjes dhe përmbytjen e Sukthit dhe fshatrave të tjerë përreth tij.