Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Elbasanit, ka ndaluar punonjësin e policisë, i cili ushtronte detyrën e Kontrollorit në Stacionin e Policisë Kufitare “Qafë Botë”, pjesë e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë. Ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, pasi më datë 7 gusht, rreth orës 12:39 ka lejuar kalimin në pikën kufitare të dy personave, ndaj të cilëve ishte dhënë një urdhër ndalimi nga Prokuroria pranë Gjykatës së Elbasanit, pasi dyshoheshin për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.