Më shumë se 10,400 shtëpi në të gjithë Rusinë janë nën ujë pasi bora e shkrirë shpejt ka bërë që të fryhen disa nga lumenjtë më të mëdhenj të Evropës, duke shkaktuar nivele rekord uji në malet Urale, tha ministria ruse e emergjencave. Lumi Ural, i cili ndodhet mes maleve me të njëjtin emër dhe derdhet në Detin Kaspik, u fry dhe doli nga shtrati brenda vetëm pak orëve, për shkak të borës së shkrirë, duke shembur edhe një argjinaturë dige në qytetin e Orskut, 1,800 km në lindje të Moskës. Përmbytje janë raportuar gjithashtu në Siberi, Vollgë dhe rajonet qendrore të Rusisë.