Nëse çmimi i naftës arrin 150 dollarë për fuçi, kjo do të shkaktojë një recesion global, tha shefi i gjigantit financiar amerikan BlackRock për BBC-në. Larry Fink, i cili drejton menaxhuesin më të madh të aseteve në botë, tha se nëse Irani "mbetet një kërcënim" dhe çmimet e naftës mbeten të larta, kjo do të ketë "pasoja të rënda" për ekonominë botërore. Në një intervistë të gjatë, ai gjithashtu mohoi se ekzistonte një flluskë e inteligjencës artificiale, megjithëse tha se teknologjia e re nënkuptonte se shumë njerëz po ndiqnin diploma universitare dhe nuk po bënin mjaftueshëm trajnime teknike. BlackRock është një kolos financiar, që kontrollon asete me vlerë 14 trilionë dollarë, dhe është një nga investitorët më të mëdhenj në shumë nga kompanitë më të mëdha në botë. Përmasat e tij, i japin Fink, që është një nga tetë bashkëthemeluesit e biznesit, një pasqyrë unike mbi shëndetin e ekonomisë globale. Konflikti në Lindjen e Mesme ka shkaktuar lëvizje të ashpra në tregjet financiare, ndërsa njerëzit përpiqen të vlerësojnë se çfarë do të ndodhë me kostot e energjisë. Për Fink, është shumë herët për të përcaktuar shkallën dhe rezultatin përfundimtar të konfliktit, por ai beson se do të jetë një nga dy skenarët ekstremë. Në njërin, nëse konflikti zgjidhet dhe Irani bëhet një vend që mund të pranohet përsëri nga bashkësia ndërkombëtare, atëherë çmimi i naftës mund të bjerë përsëri poshtë nivelit ku ishte para luftës. Por nëse jo, thotë ai, atëherë mund të ketë "vite me çmim mbi 100 dollarë, më afër 150 dollarëve për naftën, gjë që ka implikime të thella në ekonomi" dhe një rezultat që është "një recesion të ashpër".