Vendet myslimane duhet patjetër të veprojnë të bashkuara dhe ta kundërshtojnë planin e Izraelit për ta marrë nën kontroll Qytetin e Gazës, tha ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, pas bisedimeve në Egjipt. Fuqitë rajonale, Egjipti dhe Turqia, e kanë dënuar planin e Izraelit. Ankaraja tha se kjo shënon një fazë e re në atë që e quajti politikë “gjenocidale dhe ekspansioniste” të Izraelit, duke bërë thirrje për masa globale për të ndaluar zbatimin e tij. Izraeli e mohon këtë përshkrim të veprimeve të tij në Gazë. Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp në El Alamein me homologun e tij egjiptian, Badr Abdelatty, pas një takimi edhe me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, Fidan tha se Organizata për Bashkëpunim Islamik ishte thirrur në një mbledhje urgjente. Fidan tha se politika e Izraelit synon t’i detyrojë palestinezët të largohen nga tokat e tyre përmes urisë dhe ta pushtojë përgjithmonë Gazën, duke shtuar vendet nuk e kanë më asnjë arsye për ta vazhduar mbështetjen e Izraelit. Izraeli e mohon se synon shkaktimin e krizës së urisë në Gazë dhe thotë se grupi militant palestinez mund t’i japë fund luftës duke u dorëzuar. Organizata për bashkëpunim islamik u bëri thirrje fuqive botërore dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së që "të marrin përgjegjësitë e tyre ligjore dhe humanitare dhe të ndërmarrin veprime urgjente për të ndaluar" planin e Izraelit për Qytetin e Gazës, duke siguruar njëkohësisht përgjegjësinë e menjëhershme për atë që e quajti shkelje të ligjit ndërkombëtar nga Izraeli.