Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho këtë të martë dha një deklaratë për sistemin shëndetësor në vend. Sipas saj, situata është dramatike, duke theksuar se pacientët onkologjikë po lihen në mëshirë të fatit për shkak të mungesës së barnave jetike dhe shërbimeve thelbësore. Mungesa e barnave jetike si acidi folinik, i domosdoshëm për kimioterapinë, është një alarm kombëtar. Në të njëjtën kohë mungojnë barna thelbësore si Docetacel, që përdoret për trajtimin e pesë llojeve të kancerit, Pembrolizumab për forma të avancuara të sëmundjes dhe Temozolomid për tumoret në tru. Pacientët me kancer nuk po trajtohen sipas protokolleve mjekësore dhe kur protokolli nuk ndiqet, sëmundja avancon. Ky është një dënim i heshtur me vdekje. Situata rëndohet edhe më tej nga mungesa e shërbimeve jetike si brakiterapia, trombektomia dhe PET-scan. Analizat mjekësore ndalen pas datës 20 të çdo muaji, sepse fondet mbarojnë. Zv/Presidentja e PL u shpreh se projektet luksoze dhe fasada janë prioritetet e qeverisë, ndërsa e drejta themelore sic është shëndetësia është braktisur.