Në ditën e tetë të protestave në Serbi, mbi dhjetë rrugë kryesore në Beograd u bllokuan nga protestuesit, pas një thirrjeje për “mosbindje civile” të nisur nga studentët. Rrugët dhe kryqëzimet në disa lagje të kryeqytetit u bllokuan që nga ora 07:00 nga grupe joformale qytetarësh. Policia ndërhyri në disa pika, duke penguar bllokimin e rrugëve dhe kërkuar dokumente identifikimi nga qytetarët. Protestat janë të organizuara nga lëvizja “Studentët në bllokadë”, një organizatë akademike që u krijua pas incidentit tragjik në Novi Sad më 1 nëntor, kur 16 persona humbën jetën nga shembja e një strehe betoni në Stacionin Hekurudhor.