Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim për akuzën e vrasjes nga pakujdesia mjekët stomatologë, Roland Xhaxho, vajzën e tij, Ina Xhaxho dhe mjeken tjetër, Marta Gina për rastin e vdekjes së 3-vjeçarit, Brian Spahiu. Sipas prokurorisë, tre mjekët e klinikës dentare ‘Splendid’ nuk zbatuan protokollet mjekësore në identifikimin e saktë të gjendjes klinike të të miturit, që iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale pa diagnozë të saktë dhe pa testet e nevojshme dhe të detyrueshme. Prokuroria thotë gjithashtu se ndërhyrja e kryer nuk lejohej për fëmijë të moshës 3-vjeçare, ndërsa mjekët e kanë nxjerrë nga klinika në kushte të papërshtatshme dhe duke shpërfilluar rreziqet e shëndetit të tij.