Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara mund të “detyrohen” të ndërmarrin veprime ushtarake ndaj Iranit, edhe pse theksoi se kjo nuk është zgjedhja e tij e parë. I pyetur nga gazetarët për mundësinë e përdorimit të forcës, Trump u shpreh: “Nuk dua ta bëj, por ndonjëherë duhet”. Deklarata u bë përpara largimit të tij nga Shtëpia e Bardhë për një udhëtim në Texas, ndërsa shtoi gjithashtu se priten bisedime të tjera lidhur me Iranin, duke sinjalizuar se kanalet diplomatike mbeten të hapura. Megjithatë, Trump përsëriti vijën e tij të kuqe: Irani “nuk mund të ketë armë bërthamore”. Deklaratat vijnë në një moment tensioni të shtuar në rajon, ndërsa SHBA ka rritur praninë ushtarake në Lindjen e Mesme.