Pas shpalljes së armëpushimit, qindra iranianë u mblodhën në Teheran duke valëvitur flamuj dhe duke mbajtur pankarta me portretin e udhëheqësit suprem, Mojtaba Khamenei, në shenjë mbështetjeje për marrëveshjen. Sipas mediave ndërkombëtare, reagimet e popullit iranian janë të ndryshme, nga njëra anë ka lehtësim, pasi shmanget rreziku i sulmeve ndaj termocentraleve dhe infrastrukturës kritike. Nga ana tjetër, kritikët e regjimit shprehin shqetësim, duke theksuar se situata politike mbetet e tensionuar dhe se pushteti mund të forcohet edhe më tej pas kësaj marrëveshjeje. Ndërkohë, gjatë kulmit të tensioneve dhe pas paralajmërimeve të forta nga presidenti amerikan Donald Trump, qytetarë iranianë formuan zinxhirë njerëzorë rreth termocentraleve dhe objekteve strategjike, për t’i mbrojtur nga një sulm i mundshëm ajror. Megjithatë, marrëveshja dyjavore u arrit, duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm, teksa Irani konfirmoi se do të respektojë armëpushimin dhe do të lejojë kalimin në Ngushticën e Hormuzit.