Ajo që mediat italiane kanë paralajmëruar më parë, se qendrat e emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër do të ndryshojnë funksion nga qendra azilantësh në qendra riatdhesimi emigrantësh të paligjshëm është zyrtarizuar nga Qeveria italiane. Qeveria e Giorgia Melonit ka miratuar këtë të premte një vendim që lejon përdorimin e qendrës së Gjadrit për strehimin e emigrantëve që u është refuzuar azili, apo për të cilët ka një vendim gjykate për dëbim nga Italia. Zyrat në portin e Shëngjinit do të shërbejnë për pritjen dhe regjistrimin e emigrantëve që do të transferohen më pas në Gjadër. Në këtë kamp do të dërgohen edhe emigrantë që nuk vijnë nga vende të sigurta.