Donald Trump ka sinjalizuar se është i gatshëm t’i japë fund fushatës ushtarake kundër Iranit, edhe nëse Ngushtica e Hormuzit mbetet pjesërisht e bllokuar. Sipas raportimeve, ai ua ka bërë të qartë këtë qëndrim bashkëpunëtorëve të tij në mes të tensioneve të vazhdueshme në rajon. Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë ka reaguar përmes deklaratave të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili theksoi se ngushtica strategjike do të rihapet në një mënyrë ose në një tjetër, duke lënë të kuptohet se SHBA nuk do të tolerojë bllokimin e saj për një kohë të gjatë. Rubio paralajmëroi se pasi SHBA të arrijë objektivat e saj, çdo përpjekje e Iranit për të mbajtur të mbyllur Ngushticën e Hormuzit do të sjellë pasoja serioze. Sipas tij, reagimi nuk do të vijë vetëm nga SHBA, por edhe nga vendet e rajonit dhe komuniteti ndërkombëtar. Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më të rëndësishme për tregtinë globale të naftës, dhe çdo përshkallëzim i situatës rrezikon të ndikojë drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare dhe sigurinë energjetike globale.