Përmbytjet që kanë përfshirë Durrrësin këtë të martë kanë prekur edhe Autostradën Tiranë-Durrës. Policia njoftoi se prania e ujit në të dy kahet e këtij segmenti në hyrje të qytetit të Durrësit është e madhe dhe qarkullimi i automjeteve i pamundur. Për këtë arsye, policia njoftoi se ka devijuar qarkullimin nga aksi i vjetër rrugor që lidh Durrësin me Tiranën, më konkretisht, Plepa-Ndroq dhe nga aksi Rrogozhinë-Elbasan-Tiranë. Disa automjete mbeten të bllokuara në autostradë në orët e para të mëngjesit, për shkak të nivelit të lartë të ujit, që fiku disa makina. Situata problematike paraqitet edhe në pjesët e brendshme të qytetit, ku uji në disa zona ka shkuar deri në një metër lartësi. Problemet më të mëdha raportohen në zonën e stadiumit, atë të ish kënetës dhe pranë portit. Mësimi është anuluar në pjesën më të madhe të shkollave të qytetit, teksa deri më tani raportohen disa familje të evakuuara.