Procesi i ish presidentit, Hashim Thaçi në gjykatën speciale në Hagë do të hyjë në një fazë të re nga 15 shtatori, kur pritet që pala mbrojtëse të paraqesë provat dhe dëshmitarët e saj. Në këtë fazë pritet prania e përfaqësuesve të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe dëshmitarë nga Mbretëria e Bashkuar. Më 18 gusht, ekipi mbrojtës i Thaçit mori miratimin nga SHBA-të për dëshminë e dëshmitarit të koduar “1DË-003” – një figurë që mbahet ende në anonimitet për publikun, por e njohur për trupin gjykues. Amerikanët kanë vendosur një listë të gjatë kushtesh për mënyrën se si do të merret dëshmia.