Paraditen e së martës u mblodh Komisioni i Ligjeve në Bashkinë e Tiranës, ku u diskutua përfshirja ose jo në rend dite në mbledhjen e Këshillit të kërkesës së këshilltarëve socialistë për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Këshilli i Ligjeve përbëhet nga 15 anëtarë, ku socialistët kanë shumicën. Të premten, Veliaj i dërgoi një letër Këshillit Bashkiak duke kërkuar të marrë pjesë në mbledhje. Sekretari i Këshillit, Behar Zeneli iu përgjigj se në rast se kryebashkiaku nuk mund të paraqitet fizikisht në mbledhje, mund të dërgojë pretendimet me shkrim. Veliaj replikoi duke i kujtuar se Sekretari nuk mund të marrë rolin e një organi kolegjial, pasi kompetencat e tij janë vetëm administrative. Sipas tij, deri më tani nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar për zhvillimin e mbledhjes, shkaqet e shkarkimit apo materialet që e ngarkojnë me përgjegjësi. Veliaj thekson se nuk i është garantuar e drejta për t’u dëgjuar, ndërsa shtoi se prania e tij ose jo në sallë duhej të vendosej nga Këshilli Bashkiak me votë.