Në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit 2025, Policia e Shtetit ka hartuar dhe është duke zbatuar një plan të detajuar masash për të garantuar rendin, sigurinë publike dhe integritetin e procesit zgjedhor në të gjithë territorin e vendit. Masa të shtuara sigurie janë parashikuar gjithashtu edhe për mbarëvajtjen e aktivitetit ndërkombëtar “Giro d’Italia”, i cili zhvillohet paralelisht në vendin tonë. Plani operacional për zgjedhjet është ndarë në disa faza dhe është ndërtuar në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorinë e Përgjithshme, SPAK, OSBE-në dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese. Janë trajnuar rreth 7 mijë e 651 punonjës policie, nga të cilët 813 janë specialistë për Hetimin e Krimeve, që do të angazhohen për të identifikuar dhe hetuar çdo rast të krimeve zgjedhore.