Të mbijetuarit e aksidentit të autobusit në Kroaci arritën të martën në mbrëmje në Kosovë. Avioni që u nis nga Osijeku, u ul në Prishtinë pak pas orës 22:00. Qeveria e Kosovës, përmes një komunikate për media, bëri të ditur se 21 të mbijetuar arritën në Kosovë. Ata u pritën nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti, ndërsa u shoqëruan më pas nga familjarët e tyre. Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, tha në një konferencë për media se 15 të lënduar vazhdojnë trajtimin në spitalin e Sllavonski Brodit, ndërsa dy prej tyre - njëri në gjendje të rëndë - janë në njësi të kujdesit intensiv.