Dhjetëra persona kanë protestuar në Prishtinë të shtunën në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, duke kërkuar më shumë të drejta, barazi dhe drejtësi për gratë. Ata marshuan në mesditë nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek sheshi “Skënderbeu” në kryeqytet, me moton “Marshojmë për njëra-tjetrën”. Gjatë marshit, i cili u organizua nga kolektivi “Marshojmë S’festojmë”, protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrime si, “Sot marshojmë, çdo ditë luftojmë”, “Pagë të barabartë, për punë të barabartë”, dhe “Grua, jetë, liri”. Gratë në Kosovë vazhdojnë të përballen me sfidat e punës, kontesteve pronësore, si dhe dhunës në familje.