Qeveria i ka hapur rrugën krijimit të shoqërisë së përbashkët shqiptaro-italiane për prodhimin e dronëve luftarakë. Në mbledhjen e kësaj të premte, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që i jep mundësi kompanisë shtetërore KAYO për të ngritur bashkë me italianët një shoqërie aksionare të përbashkët me objekt prodhimin, montimin, riparimin dhe tregtimin e mjeteve fluturuese pa pilot. Sipas vendimit, fabrika e prodhimit të këtyre mjeteve do të ngrihet në territorin e Ministrisë së Mbrojtjes në bazën e Pashalimanit, teksa pala italiane duhet të marrë përsipër ngritjen e logjistikës, makinerive dhe materialet e tjera të nevojshme për procesin e prodhimit dhe riparimit të dronëve. Italianët duhet të investojnë jo më pak se 30 milionë euro brenda tre viteve pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, të punësojnë jo më pak se 35 persona po në këtë periudhë kohore, të ofrojnë teknologjinë më të lartë të prodhimit të dronëve luftarakë si dhe të sigurojnë edhe blerësit e këtyre mjeteve.