Më shumë se 22 mijë qytetarë dhe rreth 11 mijë automjete kanë kaluar këtë të enjte në pikën kufitare Vërmicë-Morinë pa iu nënshtruar kontrolleve kufitare, falë marrëveshjes së re për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Shqipërisë, e cila ka hyrë në fuqi në këtë 1 maj. Kjo marrëveshje, e nënshkruar nga qeveritë e të dy vendeve, lejon qytetarët të kalojnë kufirin pa pasaportë apo letërnjoftim gjatë periudhave 1 maj-30 shtator dhe 1 nëntor -28 shkurt. Në muajt e mbetur, kalimi do të bëhet përmes procedurave të përshpejtuara. Për qytetarët, kjo do të thotë më pak pengesa dhe më shumë mundësi për të udhëtuar lirshëm, duke e bërë kufirin gjithnjë e më simbolik.