Në Serbi, pothuajse 60 fakultete shtetërore ndaluan punën dhe në shenjë mbështetjeje, protestave studentore iu bashkuan edhe nxënës të shkollave të mesme. Kërkesat e tyre janë që të dënohen përgjegjësit për shembjen e strehës së jashtme të ndërtesës të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, ku mbetën të vdekur 15 persona. Thirrjeve të tubuesve u është shtuar edhe ajo për ndëshkimin e personave që sulmuan student e qytetarë gjatë demonstrative paqësore që nderuan viktimat e incidentit. Ndërkohë, në rrjetet sociale është shfaqur një video nga Ivanjica, ku shihet drejtuesi i një makine “Audi” duke e thyer bllokimin e rrugës pa e ulur shpejtësinë. Duket se ka pasur disa raste të ngjashme këto ditë, kur shoferë automjetesh kanë tentuar të godasin protestuesit që kishin bllokuar rrugët.