Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se procesi i votimit në katër komunat në veri të Kosovës, lidhur me shkarkimin e kryetarëve shqiptarë po shkon “qetë dhe mirë”. Në një deklarim për gazetarët nga Leposaviqi, ku vizitoi qendrat e votimit, Krasniqi u ndal edhe te bojkotimi i procesit të votimit nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, të cilën e akuzoi se dëshiron të ketë “monopol” mbi politikën e komunitetit serb në Kosovë.