Gjykata e Tiranës ka liruar 15 protestuesit e opozitës, që u arrestuan pas tubimit të 22 marsit dhe përplasjeve me Policinë e Shtetit. Gjykata caktoi ndaj tyre masën e sigurisë detyrim paraqitje, ndërsa nën hetim janë edhe tetë persona të tjerë, pesë prej të cilëve të mitur. Vendime të ngjashme gjykata ka dhënë edhe për protestues të ndaluar në protestat e mëhershme të Partisë Demokratike, duke vlerësuar se masa e arrestit ndaj tyre nuk është proporcionale me akuzat e ngritura nga policia.