Dhoma Amerikane e Tregtisë ka kritikuar miratimin në Kuvend pa diskutime ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve, pavarësisht kundërshtimeve të grupeve të interesit dhe kërkesave për rishikim të përmbajtjes së disa neneve dhe përputhshmërisë së tyre me direktivat e BE. Dhoma Amerikane e Tregtisë thekson në një reagim zyrtar se projektligji për mbetjet urbane duhej të ishte shqyrtuar paralelisht me nismën tjetër ligjore “Për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje”, pasi të dy aktet janë organikisht të lidhura dhe ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si bizneset trajtojnë riciklimin, mbledhjen dhe trajtimin e mbetjeve.