Një 27-vjeçar, identifikuar me inicialet E. C., është arrestuar nga policia e Elbasanit në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”. I riu me vendbanim në Përrenjas u ndalua në afërsi të fshatit Shijon, pa hyrë në autostradën Elbasan-Tiranë. Policia thotë se aksioni u ndërmor pas marrjes së informacioneve se ai lëvizte me armë zjarri pa leje me vete. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj 27 vjeçarit, atij iu gjet arma e zjarrit, ndërsa gjatë kontrolleve në banesën e tij iu gjet municion luftarak dhe një palë dylbi. Materialet u sekuestruan dhe i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtjeshme, ndërsa po hetohet gjithashtu e shkuara e të arrestuarit dhe nëse ka precedentë të mëparshëm penalë.