Policia e Lushnjes ka shpallur në kërkim një 21 vjeçar, i dyshuar si poseduesi i një arme tip pistoletë që u sekuestrua në një lokal në lagjen Xhevdet Nepravishta. Gjatë ndërhyrjes shërbimet e Policisë kanë gjetur në xhepin e një xhupi, që ishte lënë në nga karriget e tavolinës ku ndodheshin 5 të rinjtë, një armë zjarri pistoletë me municion luftarak. Në vijim të veprimeve u bë e mundur identifikimi i personit që posedonte xhupin dhe armën e zjarrit , konkretisht shtetasi Marlind Sulo, 21 vjeç, banues në Lushnjë, i cili ishte larguar pak minuta më parë për në një berberhane dhe do kthehej përsëri. Policia thotë se në vijim të veprimeve hetimore ka arrestuar katër të rinj të moshave 20 deri në 24 vjeç, që të gjithë banues në Lushnje dhe që ishin të ulur në tavolinë me Marlind Sulon. Të rinjtë akuzohen për moskallëzim krimi, teksa nga kontrollet që policia ka ushtruar në banesën e Marlind Sulos kanë gjetur edhe municion dhe pesë aparate celularë, që janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.