Ashtu siç edhe pati paralajmëruar, pavarësisht akuzave për shkelje të kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit ndaj maxhorancës, demokratët nuk i kanë lënë pa praninë e tyre përbërjen e Komisioneve parlamentare. Në seancën e kësaj të mërkure, pas depozitimit të emrave nga opozita për komisionet parlamentare, maxhoranca i miratoi ato me vetëm votat e tyre, teksa e vetmja votë kundër në të gjitha votimet ishte ajo e deputetit të partisë Mundësia, Erald Kapri. Me të dalë nga seanca, e cila u mbyll me një minutë heshtje për nder të Abdi Baletës, Berisha theksoi se bojkoti nuk është opsion as në zgjedhjet bashkiake.