Pas vendimit të Kushtetueses, që vendosi të shty me 34 ditë afatin kohor të zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit, ka reaguar Presidenca që thekson se Vjosa Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje Kushtetuese. Gjykata, sipas Presidencës, në asnjë paragraf të aktgjykimit të saj, nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentes. “Përkundrazi, ka konfirmuar se nuk është dekreti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja, por është dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ri ai që i shkakton këtë proces të zgjedhjeve.”, thuhet në njoftimin e Presidencës, që nënvizon mes të tjerave se dekreti është thjesht një formalizim i një situate ekzistuese dhe se është dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit që e çon vendin në zgjedhje. Presidenca thotë më tej se e mirëpret afatin 34-ditor të dhënë deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga ana e gjykatës dhe u bën atyre thirrje që urgjentisht ta kryejnë këtë detyrim kushtetues. “Në vend të deklarimeve të tilla të paqëndrueshme, ftojmë Kuvendin e Kosovës që qysh nesër ta caktojë datën e seancës së re për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe ta kryejnë detyrimin për të cilin janë zgjedhur, duke i dhënë vendit stabilitet dhe siguri.”, mbyll reagimin Presidenca.