Qeveria e Kosovës ka mbajtur të shtunën vonë një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit të situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme. Mbledhja është mbajtur me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. “Kryeministri Kurti ka ritheksuar qëndrimin e qartë të institucioneve të Republikës së Kosovës se qëndrojnë të palëkundura përkrah miqve dhe aleatëve tanë strategjikë, e në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekjet për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar”, është thënë në një komunikatë të Kryeministrisë. Në deklaratë theksohet se Kosova solidarizohet me popullin e Iranit dhe aspiratat e tyre legjitime për liri, dinjitet dhe të drejta themelore. “Institucionet e Republikës së Kosovës tashmë kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës, dhe se janë duke i monitoruar për së afërmi zhvillimet në Lindjen e Mesme, sikurse edhe implikimet e mundshme për Kosovën dhe rajonin. Ne po ashtu jemi në komunikim të afërt dhe të vazhdueshëm edhe me partnerët tanë strategjikë”.