Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë Speciale në Hagë, e cila ka kërkuar dënime të rënda me burg për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në reagimin e tij, Kurti theksoi se kërkesa e Prokurorisë Speciale nuk mbështetet në asnjë standard ndërkombëtar dhe injoron kontekstin historik dhe moral të luftës çlirimtare të Kosovës. Sipas kryeministrit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte bartëse e një lufte të drejtë, mbrojtëse dhe çlirimtare, e cila kishte në thelb mbijetesën dhe dinjitetin e popullit të Kosovës. Ai shtoi se Kosova nuk ka pasur kurrë plane shfarosjeje ndaj asnjë populli tjetër apo ndaj civilëve. Më tej, Kurti deklaroi se Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se lufta e UÇK-së ishte një kryengritje antikolonialiste dhe një përpjekje legjitime për liri.