Projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit që u miratua pak ditë më parë nga Kuvendi, shënon një hap para në kuadrin ekzistues normativ duke u përafruar me ligjin e BE në luftën kundër këtij fenomeni. Po ashtu aty adresohen dhe rekomandimet e MONEYVAL, ku për herë të parë do të ketë dhe rregulla strikte dhe për asetet virtuale, Kështu çdo transfertë në kripto duhet të shoqërohet me informacion të plotë me qëllim identifikimin e dërguesit dhe përfituesit, duke eleminuar transaksionet anonime. Nisma e re ligjore rrit dhe kontrollin e parasë fizike dhe kufizimin e transaksioneve. Në pikat kufitare dhe ndërkufitare sanksionohet detyrimi i deklarimit për çdo shumë të barabartë ose më të madhe se 10,000 euro në hyrje apo dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë. Nëse nuk deklarohen atëherë autoritetet doganore kanë fituar kompetencë për të bllokuar përkohësisht shumën. Edhe në transaksionet e brendshme kufiri do të jetë po 10 mijë euro për pagesat në dorë. Ndalohet kategorikisht mbajtja e llogarive anonime dhe përdorimin e aksioneve të prurësit, duke kërkuar konvertimin e detyrueshëm të tyre brenda afateve të përcaktuara. Korniza e re ligjore zgjeron ndjeshëm kompetencat operacionale tëAgjencisë së Inteligjencës Financiare (AIF).