Të dielën në mesnatë përfundon afati dy-javor për subjektet politike që të dorëzojnë listën me emrat e kandidatëve për deputetë në KQZ, me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Deri më tani, KQZ ka certifikuar 23 subjekte politike, prej të cilave 17 parti politike; 3 koalicione; 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Jashtë certifikimit nga KQZ ka mbetur partia Lista Serbe, e cila është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Zëdhënësi Valmir Elezi, thotë se pas dorëzimit të kandidaturave për deputetë, KQZ do të ndërmarrë veprimet e radhës për të verifikuar përshtatshmërinë e kandidatëve nëse përmbushin kriteret ligjore.