Viti 2025 ka qenë jashtëzakonisht i ngarkuar për Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku janë trajtuar rreth 100 mijë pacientë. Drejtori i kësaj Klinike, Naser Syla në një intervistë për KosovaPress thekson se ngarkesa e madhe vjen jo vetëm nga numri i lartë i pacientëve, por edhe nga natyra e ndryshme e sëmundjeve, duke përfshirë rastet e rënda emergjente. Sfidë për këtë klinikë mbetet numri i ulët i specialistëve të mjekësisë.