Qeveria në detyrë e Kosovës ka konfirmuar për Radio Evropa e Lirë se është e gatshme të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta në Kosovë, “në përputhje me kushtet e përcaktuara”. Sipas qeverisë, në Kosovë përgjatë një periudhe njëvjeçare, mund të zhvendosen përkohësisht deri në 50 persona, të cilët të jenë të përzgjedhur nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me ligjin dhe rendin publik. Qeveria në detyrë e Kosovës shprehet se Shtetet e Bashkuara mbeten një aleat i palëkundur i Republikës së Kosovës. Pak ditë më parë Departamenti amerikan i Shtetit, ka konfirmuar se vendet e rajonit të Ballkanit janë përfshirë brenda një strategjie më të gjerë amerikane për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregullt.