Kosova dhe Serbia nuk do të përfitojnë nga fondi prej 171 milionë euro të ofruar nga BE në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, për nxitjen e zhvillimit të infrastrukturës dhe rritjes së sektorit privat. Sipas Komisionit Evropian, Kosova nuk ka përmbushur kushtet ligjore për të pranuar pagesa, pasi që ende nuk ka ratifikuar Marrëveshjen e Kredisë dhe Fondeve. Kosova duhet të ratifikojë marrëveshjet për hua dhe fonde në kuadër të Planit të Rritjes pas formimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. Gjatë vitit 2025 kjo nuk mundi të ndodhë për shkak të bllokadës politike, e cila rezultoi në dy raunde zgjedhjesh parlamentare gjatë vitit të kaluar. Edhe Serbia nuk është përfituese e këtyre fondeve, pasi për të nuk u miratuan projekte nga Fondi për Reforma dhe Rritje.