Gjykata e Posaçme ka rrëzuar këtë të martë kërkesën ish-ministrit të Shëndetësisë dhe ish-kreut të menaxhmit të fondeve të BE-së, Ilir Beqaj për zëvendësim të masës së sigurisë. Beqaj kërkoi zbutje të masës së sigurisë duke ofruar si garanci 20 mijë euro, teksa më herët po për këtë dosje u rrëzua edhe kërkesa e Ermal Kurtulajt. Beqaj dhe bashkëpunëtori i tij akuzohen për korrupsion me paratë e Bashkimit Europian. Ata janë arrestuar që prej korrikut të vitit të kaluar dhe mbahen me masën e sigurisë arrest me burg. Ish ministri akuzohet për 5 vepra penale në dosjen e SASPAC, mes të cilave korrupsion pasiv, shkelje e barazisë në tenderë, falsifikim dokumentesh, mashtrim, mashtrim në bashkëpunim dhe mosdeklarim pasurie në rastin e 50 për qind të kuotave të restorantit “Gzona”. Përveç kësaj dosje, Beqaj është në akuzë edhe për dosjen e sterilizimit, ku SPAK ka vendosur nën sekuestro një apartament, që dyshon se është në pronësi të tij.