Autoriteti i Konkurrencës nisi monitorimin e tregut të karburanteve me shumicë dhe pakicë, pasi këtë të mërkurë filloi shtrenjtimi i naftës, me justifikimin e efekteve të luftës në Lindjen e Mesme. Autoriteti i Konkurrencës njofton se në rast se vërehen luhatje të çmimeve që tejkalojnë masën e ndryshimeve të çmimeve në bursat ndërkombëtare, Autoriteti do të ndërmarrë masat e nevojshme. Po ashtu, shpjegohet se çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare përditësohen në mënyrë të vazhdueshme, duke reflektuar faktorë si oferta, kërkesa, kostot e përpunimit, si dhe zhvillime të tjera ekonomike apo gjeopolitike. Si rrjedhojë, pritet që luhatjet e çmimeve në tregun vendas të ndjekin ndryshimet në bursë. “Çdo devijim i pajustifikuar, qoftë edhe rritje e pakoordinuar por më e shpejtë apo më e theksuar se ecuria e çmimeve ndërkombëtare, përbën tregues të mundshëm të sjelljeve jo konkurruese në treg.”- nënvizon autoriteti i konkurrencës.