CEO i Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu është paraqitur mesditën e së martës në Prokurorinë e Posaçme. Ai shmangu komentet për mediat, ndërsa zyrtarisht ende nuk dihet se për çfarë ishte thirrur. Por ajo që dyshohet është se ka të bëjë me koncensionin e laboratorëve. Një raport i tetorit 2021 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti shkelje të madhe dhe arriti në përfundimin se Ministria e Shëndetësisë e kishte dhënë koncesionin në kundërshtim me ligjin. Për këtë procedurë, KLSH paditi në SPAK shtatë anëtarët e komisionit për dhënien e koncesionit si dhe i kërkon gjithashtu Ministrisë së Shëndetësisë që të marrë masa për rishikimin dhe zgjidhjen e kontratës. Pak javë më parë, SPAK dhe BKH kanë kryer sekuestrime në ambientet e shoqërisë “Evita” sh.p.k., kompani në pronësi të Allajbeut, teksa kontrolle u zhvilluan edhe në ambientet dhe zyrat e Spitalit Amerikan.