Klodjan Braho u zgjodh drejtuesi i ri i SPAK, që do të pasojë në këtë post, kreun aktual të strukturës, Altin Dumani. Braho mori 7 vota nga 11 votat e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, 3 vota shkuan për Adnan Xholin, një votë për Elvin Gokajn dhe zero vota për prokuroren Doloreza Musabelliu. Votimi ishte epilogu i një seancë dëgjimore prej gjashtë orësh, ku katër kandidatët shpalosën platformat e tyre dhe u vunë përballë pyetjeve nga anëtarët e KLP, ku nuk munguan as pyetjet provokuese. Seanca me dëgjesat nisi me prokurorin Adnan Xholi. Vijoi me prokuroren Doloreza Musabelliu. Elvin Gokaj ishte i treti në radhë dhe më konçizi, si në prezantimin e platformës, ashtu edhe në përgjigjet e pyetjeve të ngritura nga anëtarët e KLP.