Spiunazhi i orkestruar nga Kina është shtuar gjatë viteve të fundit në Europë dhe këtë e tregojnë arrestimet e shumta të personave të dyshuar si spiunë për llogari të Kinës. Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Gjermani këtë javë janë arrestuar 6 persona të dyshuar si spiunë të Kinës. Ndërsa në fillim të prillit, Suedia dëboi një gazetar kinez, i cili kishte jetuar në vend për dy dekada, për shkak se ai “përfaqësonte një kërcënim për sigurinë kombëtare”. Por, për ministrin e Jashtëm të Britanisë, David Cameron, aktualisht, marrëdhëniet mes vendit të tij dhe Kinës janë pozitive dhe në një nivel të mirë.