Reshjet e dendura të shiut kanë rritur prurjet në kaskadën e Drinit, duke detyruar Koorporatën Elektorenergjitike Shqiptare të fillojë shkarkimet e kontrolluara në hidrocentralet e Komanit dhe të Vaut të Dejës. Shkarkimet po monitorohen nga specialistët e hidrocentraleve. Të dhënat zyrtare të bëra publike nga KESH tregojnë se prurjet në Kaskadë kanë arritur nivelin e 3500 metër kub për sekondë. Ndërkohë niveli i liqenit të Fierzës paraqitet rreth 282 metër, i Komanit 174 metër dhe i Vaut të Dejës 75 metër. Bëhet me dije se nga hidrocentrali i Komanit dhe i Vaut të Dejës aktualisht po shkarkohet një sasi prej 700 metër kub në sekondë.