Kosova dhe Serbia kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të bashkëpunuar në gjetjen e personave të zhdukur gjatë luftës së Kosovës. Dy shtetet kanë rënë dakord të vënë në funksion të plotë komisionin e përbashkët që do të udhëheqë procesin e kërkimeve. Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas raundit të dialogut me Serbinë të zhvilluar në Bruksel, bëri me dije se në javët në vijim do të përcaktohen prioritetet e para të punës së këtij komisioni. “Qëllimi ishte që të arrinim dakordësinë për funksionalizimin e komisionit të përbashkët për zbatimin e Marrëveshjes për personat e pagjetur, të nënshkruar mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Takimet ishin të suksesshme dhe në fund arritëm ta jetësojmë këtë objektiv”, tha Bislimi.