Seanca plenare e kësaj të enjte në Kuvend nisi me përplasjen e zakonshme prej dy muajsh tashmë mes mazhorancës dhe opozitës. Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi kërkoi nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi që të fusë në kalendar shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e zv.Kryeministres Belinda Balluku. Përgjigje i ktheu kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. Seanca vijoi me tensione mes dy palëve, ku Balla dhe Bardhi lexuan sipas këndvështrimeve përkatëse deklaratat e eurodeputetit, David McAllister. Bardhi tha se BE e konsideron rastin Balluku si test kritik për luftën ndaj korrupsionit, ndërsa Balla i kujtoi kolegut demokrat deklaratat e eurodeputetit kundër dhunës në protesta.