I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar paralajmëron se tensionet në veri të Kosovës mund të përshkallëzohen në një konflikt të gjerë jo vetëm mes Kosovës e Serbisë, por të përfshijë të gjithë rajonin. Gjatë fjalës që mbajti në një tryezë të organizuar nga Këshilli i Atlantikut, Escobar tha se ishte i shqetësuar në lidhje me ngjarjen dhe përsëriti mbështetjen e Uashingtonit për përpjekjet e Bashkimit Europian që të ulë dy palët në tryezë. “Jam shumë i shqetësuar, kjo situatë ka potencialin të shndërrohet në një konflikt rajonal dhe konfrontim rajonal dhe kjo është arsyeja përse ne po i mbështesim kaq fort përpjekjet europiane”, tha Escobar.