Qeveria ka propozuar ndryshimin e ligjit të funksionimit të Albcontrol, duke i hequr statusin si shoqëri aksionare dhe shndërrimin e saj në një ent shtetëror. Projektligji është miratuar në mbledhjen e së mërkurës të kabinetit qeveritar. Pika e parë e nenit katër të projektligjit e kategorizon Albcontrol-i si ent publik, jobuxhetor, veprimtaria e të cilit përbën shërbim publik dhe kryhet nën mbikëqyrjen e ministrit përgjegjës për çështjet e transportit ajror. Në pikën e dytë të të njëjtit nen, ruhet pavarësisa drejtuese, administrative, teknike dhe financiare e entit.