Autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se një zyrtar policor, i angazhuar në njësinë speciale operative është arrestuar mbrëmjen e 3 shtatorit nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “armëmbajtje pa leje”. Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë me dije se me autorizim të organeve të drejtësisë, është zhvilluar një bastisje në banesën e të dyshuarit në Vushtrri, ndërsa është rekomanduar edhe suspendimi i tij nga detyra. Sipas të dhënave të Inspektoratit Policor të Kosovës gjatë vitit të kaluar janë regjistruar rreth 700 ankesa për vepra penale ndaj zyrtarëve policorë, përfshirë raste të sulmeve dhe keqpërdorimeve të tjera.