Lidhja Demokratike e Kosovës e ka nominuar kreun e partisë, Lumir Abdixhikun si kandidat për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit. Abdixhiku doli në një konferencë për shtyp kur tha se nominimi i tij nga Kryesia ka qenë formal dhe se ka marrë miratimin unanim të anëtarësisë së kësaj kryesie. Abdixhiku tha se mori autorizimin për përpilimin e listës zgjedhore, por nuk do ta bëjë renditjen e kandidatëve. Ai paralajmëroi se LDK-ja do të garojë e vetme, por brenda listës do të lërë hapësirë për individë e parti të tjera, duke mos e përjashtuar as mundësinë që të përfshijë në këto lista edhe Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt.