Nga 1 maji, rikthehet në funksion Marrëveshja e lëvizjes së lirë mes pikave kufitare të Vërmicës dhe Morinës, e cila kishte pushuar së funksionuari nga 1 marsi. Si rrjedhojë e rikthimit në funksion të kësaj marrëveshjeje, nuk do të ketë më kontrolle në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë. Marrëveshja parashikon që qytetarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës, të kalojnë lirshëm në kufi, pa qenë nevoja e regjistrimit apo e procedurave përkatëse në pikat policore kufitare. Në pikën kufitare të Morinës gjatë fundjavës pati fluks të shtuar të udhëtarëve. Të dhënat e fundit nga Dogana e Morinës tregojnë se deri në mesditën e së shtunës kanë hyrë në territorin e Shqipërisë 4,291 shtetas dhe 2,036 mjete. Ndërsa në dalje janë regjistruar 3.834 shtetas dhe 1.967 mjete.