Një shtetas italian është arrestuar në flagrancë në Portin e Durrësit, pasi u kap duke tentuar të kalonte kufirin me një pako lënde narkotike të dyshuar kanabis. Arrestimi i marinarit 25 vjeçar në linjën detare Durrës–Ankona u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Next”, të finalizuar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare të Portit Durrës. I dyshuari u ndalua në terminalin e pasagjerëve në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë. Gjatë kontrollit fizik, bazuar në informacionet operative të siguruara më herët, policia i gjeti një pako me lëndë narkotike në formë boçeje, të dyshuar si kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për vijimin e hetimeve ndaj shtetasit italian për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.