Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiç, ka reaguar pas deklaratës së presidentit serb Aleksander Vuçiç, se në takimin në Bruksel me drejtuesit e BE-së, Ursula von der Leyen dhe Antonio Costa do t’I propozonte që i gjithë Ballkani Perëndimor të pranohet së bashku në BE. Në një postim në rrjetin social X, Spajiç shkruan se pajtohet që i gjithë Ballkani Perëndimor duhet ta ketë BE-në si destinacion përfundimtar, por që Podgorica do t’i presë kandidatët e tjerë nga rajoni si anëtare e plotë e Bashkimit Evropian (BE) në vitin 2028. “Ju mbështesim sinqerisht që të nxitoni dhe të përshpejtoni kandidatët e tjerë nga rajoni”, shkruan kryeministri malazez në postim në X.